50 njerëzit e famshëm që lexuan për vdekjen e tyre

50 personazhet që mësuan lajmin se kishin ndërruar jetë ndërkohë që ishin gjallë.

Burimi:

Tirana Observer

Ernest Heminguej, Fidel Kastro, Nelson Mandela, Mark Tuein, Alfred Nobel e deri tek Britni Spirs, kanë lexuar gazetat apo kanë parë në televizion, lajmin se kishin vdekur. Por jo të gjithë e kanë marrë me të qeshur. Nacionalisti me ngjyrë, Marcus Garvey, ka pësuar infarkt duke lexuar shkrimin që i kishin bërë gazetat për vdekjen e tij. Gruaja e dytë e baronit Blixen, ka urdhëruar “Daily Telegraph”-in, që të shkruante “se nuk ishte vidhosur në arkivol”. Rudyard Kipling, i kërkoi revistës që kishte shkruar për vdekjen e tij, që ta hiqte nga lista e abonentëve e ka shumë gjasa, që Alfred Nobel të ketë krijuar çmimin me këtë emër, pasi lexoi në komentet për vdekjen e tij cilësimin “tregtari i vdekjes”. Shumë të tjerë, i kanë inskenuar vetë vdekjet e tyre. Disa për të parë se sa vetë do ju vinin në varrim, të tjerë për të shpëtuar nga ndjekjet e policisë, e të tjerë thjesht për të krijuar humor në familjet dhe ambientin e punës. Ndërsa pjesa e mbetur, janë “viktima” të shakave apo të incidenteve në redaksitë e lajmeve, kur një buton i shtypur padashje ka “lënë të vdekur” shumë njerëz të famshëm.
Lajmet “Pas vdekjes”
Në redaksinë e CNN-it, e të shumë mediave të tjera të fuqishme, është bërë traditë përgatitja e nekrologjive të njerëzve të njohur. Por një gabim teknik, mund të kushtojë “vdekjen” e shumë personave. Shembull i kësaj ishte incidenti i famshëm i CNN-it më 16 prill të vitit 2003, kur draftet e shkrimeve për vdekjen e figurave botërore si Fidel Castro, Dick Cheney, Nelson Mandela, Bob Hope, Gerald Ford, Pope John Paul II, dhe Ronald Reagan u botuan në sajtin e televizionit. Një arsye tjetër e botimeve të lajmeve të pasakta për vdekjen e këtyre njerëzve, janë shpesh edhe emrat e përafërt. Po ashtu, gjendja shëndetësore shumë e rëndë është shkas për një njoftim të gabuar.
Rastet e rralla
Papa Gjon Pali i II-të, ishte personi për të cilin është shkruar tre herë se ka vdekur, ndërkohë që ai ka qenë gjallë. Mark Twein ka lexuar dy herë për vdekjen e tij dhe ka deklaruar se “vdekja ime është ekzagjeruar”. Ndërkohë një koiçidencë e fortë ka qenë edhe në familjen e lojtarëve të briketit Fane. Atë e bir, kanë lexuar në periudha të ndryshme kohore, lajmet për vdekjen e tyre.

1. Alan Abel

Komediani dhe muzikanti i shquar amerikan e inskenoi vetë vdekjen e tij në vitin 1979, për të parë se ç’shkrim do të botohej pas vdekjes së tij tek “New York Times”. Një drejtor funerali i rremë dhe një grua që hiqej si gruaja e tij, njoftuan gazetën e njohur. Gazeta publikoi shkrimin në 2 janar të vitit 1980. Një ditë më pas, Abel mbajti një konferencë duke thënë se, “raportimi për trashëgiminë ishte ekzagjeruar”.

2. Papa Benedikti i XV-të

Sëmundja e tij e rëndë në mushkëri, në janar të vitit 1922, krijoi një pritshmëri të madhe për vdekjen e tij. Lajmi u botua para kohe nga një gazetë në Nju Jork me një titull të madh në faqe të parë “Papa Benedikti i XV-të vdiq”, i ndjekur me një variant më të vonshëm të nënvizuar “Papa ka një përmirësim të mahnitshëm”. Gjithsesi, Papa vdiq nga sëmundja më 22 janar.

3. Miley Cyrus

Me 5 shtator tw vitit 2008, njw lajm i ccuditshwm doli nw media qw kwngwtarja adoleshente vdiq nw njw aksident rrugor gjattw rrugës pwr nw Diig, mw pas lajmi kaloi dhe nw Wikipedia. Nw fakt atw ditw Cyrus perfomoi nw  Radio City Music Hall.

4. Anthony John Allen

Mediat raportuan vdekjen e tij në vitin 1966. Krimineli famëkeq inskenoi vetëvrasjen e tij. Ai bëri sikur u hodh nga një kep në Britani, në vitin 1966, për t’i shpëtuar ndjekjes për vjedhje. Në të vërtetë, ai hodhi rrobat në lumë, mori ato që kishte fshehur dhe vuri identitet të ri. Në 2002-shin u kap dhe u dënua përjetë për vrasjen e gruas dhe fëmijëve të tij në vitin 1975.

5. Fidel Castro

Vdekja e Fidel Kastros është një nga vdekjet e botuara për shkak të incidentit të CNN-it. Është i njohur procesi i punës së këtij stacioni, i cili i përgatit përpara shkrimet për vdekjet e njerëzve të famshëm. Drafti i nekrologjisë që u botua gabimisht, i cili ishte kopjuar nga ai i Ronald Regan, e përshkruante liderin kubanez si “atlet dhe yll kinemaje”.

6. Dick Cheney

Ish zëvendëspresidenti i SHBA-së, Dick Cheney, është një nga “të prekurit” e incidentit të CNN-it. Drafti i nekrologjisë së tij, që ishte bërë në bazë të draftit të Mbretëreshës, e përshkruante Cheney-n si një “Mbretëreshë të Harmonisë” dhe “gjyshen e preferuar britanike”.

7. Kurt Cobain

Idhulli i muzikës rok është një nga të famshmit, vdekja e të cilit është lajmëruar para kohe. Ka qenë pikërisht CNN-i, i cili raportoi vdekjen e Cobain, megjithëse në fakt muzikanti i njohur ishte në koma. Lajmi u bë i ditur pas një overdoze që mori Cobain në Romë, në mars të vitit 1994. Cobain vdiq në të vërtetë, pak kohë më vonë, duke kryer vetëvrasje.

8. Thomas Menino

Më 1 prill të vitit 1998, për shaka, Opie dhe Anthony në radion “WAAF-FM” thanë se kryetari i Bashkisë së Bostonit kishte vdekur nga një aksident me makinë. Si rezultat, ata u pushuan, por morën mbështetje nga admiruesit dhe u punësuan disa ditë më vonë nga radion popullore “New York stacion”.

9. Nelson Mandela

Lideri i Afrikës së Jugut, është raportuar i vdekur në incidentin e CNN.com. Një 16 prill, 2003, u zbuluan memoriale të shkruara që më parë në adresën e internetit të CNN.com, të cilat mund të shiheshin edhe pa fjalëkalim. Ato do të përdoreshin kur ata të vdisnin me të vërtetë. Atje ndodhej dhe njoftimi i Mandelës, së bashku me shumë të tjerë.

10. Joe DiMaggio

Lajmi për vdekjen e lojtari të njohur të beizbollit Joe DiMaggio, u transmetua i shkruar në fund të ekranit të televizionit NBC. Tekstin, të cilin e pa vetë DiMaggio, ishte parapërgatitur në saje të raportimeve të vazhdueshme të gazetave që shkruanin se DiMaggio ishte afër vdekjes, dhe u transmetua kur një teknik shtypi butonin e gabuar.

11. Sharon Osbourne

Në vitin 2004, një nekrologji e gruas së yllit të rrokut Ozzy Osbourne, u publikua aksidentalisht në adresën e internetit të agjencisë së lajmeve “ABC News”, për arsye të një gabimi teknik. Sharon Osbourne është një menaxhere angleze muzike. Ajo u bë e njohur kur u doli në shfaqjen “The Osbournes”.

12. Gabriel García Márquez

Novelisti, gazetari, publikuesi, aktivisti politik dhe fituesi i Çmimit Nobel në vitin 1982 në Letërsi, është raportuar i vdekur nga e përditshmja peruviane, “La Republica”, në vitin 2000. Pjesën më të madhe të kohës e kalon në Meksikë dhe Evropë dhe konsiderohet si një nga autorët më të mëdhenj të shekullit të 20-të të Amerikës Latine.

13. Jayaprakash Narayan

Vdekja e politikanit është njoftuar gabimisht nga kryeministri i Indisë në vitin 1979, gjë që shkaktoi një vajtim të shkurtër kombëtar, pezullimin e parlamentit dhe transmetimeve radiofonike, mbylljen e shkollave dhe dyqaneve. Gabimi erdhi pasi drejtori i zyrës së Inteligjencës pa një trup të ngjashëm me të tijin që po dërgohej në spital.

14. Ian Dury

Lajmi i “vdekjes” së këngëtarit të rokut Ian Dury, u bë publik gjatë transmetimeve të radios XFM nga Bob Geldof në vitin 1998. Sipas gjasave, lajmi u dha pas një rrengu që bëri një dëgjues i radios, i cili ishte i pakënaqur nga ndërrimi i drejtuesit të XFM-së. Për shkak të incidentit, gazeta muzikore NME, e cilësoi Geldof-in “DJ-n më të keq të botës”.

15. Alfred Nobel

Njoftimi i vdekjes së themeluesit të Çmimit Nobel dhe prodhuesit të armëve, në vitin 1888 ka dalë nëpër gazeta për shkak se është ngatërruar me atë të vdekjes së vëllait të tij. Njoftimi shkruante: “Tregtari i vdekjes ka vdekur” dhe se “Nobeli u bë i pasur duke gjetur mënyra të vriste më shpejt se më parë”.

16. Samuel Taylor Coleridge

Shkrimtari i famshëm, në vitin 1816 dëgjoi emrin e tij të përmendej në hotelin ku rrinte. Një burrë po lexonte një gazetë ku ishte raportuar vdekja e tij. Shkrimtari kërkoi të lexonte gazetën dhe bashkëbiseduesi i tha se “Ishte e çuditshme që poeti kishte varur veten pikërisht pas suksesit të veprës së tij”. Coleridge i tha: “Me të vërtetë zotëri, por është akoma më e çuditshme që, ai që kishte varur veten, ishte në atë moment duke folur me të”. E vërteta këndonte se një person ishte gjetur i varur me bluzën ku shkruhej S.T. Coleridge. Kjo bluzë i ishte vjedhur shkrimtarit.

17. Alice Cooper

Rokstarja e njohur Alice Cooper lexoi lajmin për vdekjen e saj në revistën “Melody Maker”. Revista kishte krijuar një pështjellim tek lexuesit, duke botuar një kritikë satirike për këngëtaren e rokut, në formën e një nekrologjie tallëse. Por shumë fansa të saj e morën për të vërtetë, aq sa Cooper duhet të bënte një deklaratë që të siguronte ata se ishte gjallë. “Jam gjallë dhe tapë si zakonisht”, tha Cooper.

18. Vuk Peric

Pensionisti serb e vuri njoftimin e vdekjes së tij në një gazetë serbe në vitin 1997 për të parë se sa njerëz do të merrni pjesë në funeralin e tij. Pasi e pa ceremoninë mortore nga një distancë e afërt, ai u afrua, e zbuloi veten dhe i falënderoi të gjithë që kishin ardhur.

19. Paul McCartney

Muzikanti McCartney u shpall i vdekur n ëvitin 1969 nga një telefonues në radion “WKNR-FM” në Detroid. Disa ditë më vonë, dixhei njujorkez, Roby Yonge u pushua nga puna për shkak se kishte diskutuar vdekjen e mundshme të McCartney-it gjatë një transmetimi në mbrëmje.

20. Harold Pinter

Në 13 tetor të vitit 2005, shkrimtari u raportua i vdekur në “Sky News”. Ky fakt u korrigjua menjëherë dhe u tha se ai kishte fituar Çmimin Nobel për Letërsi. Pinter vuante nga kanceri, ishte rrëzuar dhe kishte pësuar dëmtime në kokë, gjë e cila mund të ketë shkaktuar konfuzion.

21. Ronald Reagan

Ish-presidenti amerikan është një nga personazhet të cilëve “CNN” i ka nxjerrë nekrologjinë para kohe. Në këtë lajmërim në internet gjithashtu kishte dhe momente nga historia e jetës së Reganit. Në të njëjtin seksion ndodhej dhe njoftimi i vdekjes së Fidel Kastros.

22. Daniel Reddout

Një banor 17-vjeçar nga Rochester, Minnesota, njoftimi i vdekjes të së cilit është publikuar në “Waterloo Cedar-Falls Courier” në dhjetor të vitit 2005, ku shkruhej se ai kishte vdekur pas një operacioni. Policia kreu hetime dhe ai u pa në një restorant një javë më vonë. Mamaja e tij i kishte thënë me shaka të dashurit të saj dhe atij i shkoi ndërmend ta nxjerrë në gazetë.

23. Dorothy Fay

Aktorja e famshme u deklarua e vdekur në gusht të vitit 2001 nga nekrologjia e gazetës londineze “Daily Telegraph”. Një shoqe e Fay, i telefonoi editorit të “Daily Telegraph”, duke i thënë se aktorja kishte vdekur, pasi kishte shkuar ta vizitonte në dhomën e saj dhe infermieret i kishin thënë “is gone” (në anglisht kjo fjalë ka dy kuptime, u largua dhe vdiq). Në të vërtetë, Fay thjesht ishte transferuar në një dhomë tjetër.

24. Friedrich Gulda

Pianisti austriak në vitin 1999 i dërgoi një faks agjencisë së lajmeve austriake, ku shkruante për veten e tij se kishte vdekur nga një goditje në zemër në aeroportin e Zyrihut. Vetëm pak minuta më vonë ai lajmëroi se ishte ende gjallë dhe se mund të jepte një “recital ringjalljeje”, që do të shoqërohej nga kërcimtarë. Ai shpesh bënte rrengje për të mërzitur institucionet e muzikës.

25. Carl Hilderbrandt

Carl Hilderbrandt ishte një biznesmen anglez i cili u akuzua për vjedhje në vitin 1990. Ai inskenoi vetëvrasjen e tij, me qëllim që më pas të fillonte një jetë të re në Amerikë. Ai bëri plane që të gjithë ta konsideronin si të mbytur dhe kështu mediat shkruan për vdekjen e tij. Por shumë vjet më pas, ai u identifikua nga një turist anglez në Amerikë dhe u ndoq penalisht për veprat që kishte kryer.

26. Dominic Guzzetta

Në nëntor të vitit 2005, gazeta “Akron Beacon” raportoi se ish-presidenti i Universitetit të Akronit është “nderuar pas vdekjes” në një aktivitet të mbledhjes së fondeve. Para kësaj, Guzzeta kishte bërë shaka në vite, se ai i lexonte nekrologjitë për t’u siguruar se emri i tij nuk ishte aty.

27. Adam Rich

Aktori i televizionit është raportuar se është vrarë në një numër të revistës “Might” në vitin 1996. Gjithçka ishte një shaka e përpunuar nga kryeredaktori i revistës, Dave Eggers, në bashkëpunim me Rich, qëllimi i së cilës ishte të satirizohej shfrytëzimi që media i bënte yjeve që vdisnin të rinj.

28. Ernest Hemingway

Në vitin 1954, pak kohë pasi shkrimtari i madh Hemingway kishte marrë Nobelin në letërsi, ai dhe bashkëshortja e tij Mary Welsh Hemingway pësuan një aksident ajror. Shumë gazeta amerikane raportuan se të dy ata vdiqën. Hemingway në këtë aksident pati shumë plagë, të cilat ndikuan tek ai për pjesën e mbetur të jetës së tij.

29. Bob Hope

Prezantuesi i njohur Bob Hope ka rezultuar dy herë gabimisht i vdekur edhe falë jetëgjatësisë së tij. Në të dyja rastet ka qenë një nekrologji e parashkruar, e cila është publikuar aksidentalisht. I pari ishte në vitin 1988 nga “Associated Press” dhe i dyti nga incidenti i famshëm i “CNN”-it. Në fakt, Hope vdiq tre muaj pas lajmërimit të “CNN”-it.

30. Gerald Ford

Ish-presidenti amerikan Gerald Ford është një nga figurat e shquara, për të cilat CNN-i kishte përgatitur që më parë shkrimin e pasvdekjes. Por “incidenti” i CNN-it, që shkaktoi botimin e një numri të madh të shkrimeve të tilla pa dashje, lajmëroi edhe për vdekjen e ish-presidentit amerikan.

31. Bertrand Russell

Filozofi është raportuar i vdekur nga shtypi japonez në vitin 1920, atëherë kur vuante nga pneumonia. Disa burime thonë se këto raportime ishin një formë e qëllimshme hakmarrjeje nga gazetarët japonezë, të cilët Russell kishte refuzuar t’i takonte për shkak të sëmundjes së tij. Vdekja e tij e supozuar është raportuar edhe nga gazeta “The Times”.

32. Marcus Garvey

Marcus Garvey vdiq prej vërteti pasi lexoi shkrimin e “vdekjes” së tij. Nacionalisti afrikan kishte kaluar një infarkt në janar të vitit 1940. Chicago Defender njoftoi vdekjen e tij. Por në fakt, Garvey vdiq ndërsa po lexonte shkrimin që ishte botuar për vdekjen e tij, ku përshkruhej dhe jeta që kishte kaluar. Garvey cilësohej si “trok, i vetmuar dhe jopopullor”. Një atak i dytë, për shkak të lajmit, u kthye në një profeci vetëpërmbushëse për vdekjen e tij.

33. Mbretëresha Elizabeta Nënë

Vdekja e mbretëreshës Elizabeta, nëna e mbretëreshës, është njoftuar gabimisht në median australiane në vitin 1993, kur një punonjës në “Sky News” pa një provë brenda agjencisë së lajmeve për vdekjen e saj të ardhshme (një nga të shumtat që janë kryer nga media britanike). Ai mendoi se mos ishte i vërtetë dhe i telefonoi mamasë në Australi me lajmin e ri, e cila ia kaloi medias.

34. William Hung

Në vitin 2004, një lajm satirik u botua në uebsajtin Broken News, duke pohuar se, “idhulli amerikan” kishte vdekur. Sipas lajmit, William Hung kishte vdekur nga një overdozë. Lajmi bëri bujë të madhe, saqë Hung u detyrua ta mohonte publikisht. Hung ishte një student i cili u bë i famshëm duke imituar Ricky Martin me këngën “She bangs”. Mungesa e talentit të tij, e bëri të famshëm në publikun amerikan.

35. Papa John Paul II

Është i vetmi person, vdekja e të cilit është lajmëruar tri herë gabimisht. E para ishte menjëherë pas atentatit në vitin 1981. “CNN”-i njoftoi se Papa kishte vdekur duke iu referuar atij në kohën e shkuar. Në 2003-shin, sërish “CNN”-i lajmëron vdekjen e tij për shkak të incidentit me nekrologjitë e figurave të shquara. Në vigjilje të vdekjes së tij, më 1 prill 2005, “Fox News” lajmëroi vdekjen e tij duke iu referuar medias italiane.

36. Katharine Sergava

Aktorja dhe kërcimtarja nga Oklahoma është raportuar e vdekur në vitin 2003 nga gazeta angleze “Daily Telegraph”. Disa ditë më vonë, e njëjta nekrologji është publikuar tek gazeta amerikane “New York Times”. Gazeta e fundit fajësoi të parën për këtë gabim.

37. Mark Twain

Në vitin 1897, një gazetar u dërgua të pyesë për shëndetin e Twain, duke menduar se ishte në prag të vdekjes. Në të vërtetë ishte kushëriri i tij ai që ishte i sëmurë. Twain rrëfen për këtë ngjarje në gazetën “New York Journal” në 2 qershor 1897, duke përdorur fjalët: “Raporti e vdekjes sime është një ekzagjerim”.

38. Harry S. Weed

Shpikësi i zinxhirëve të rrotave “Weed non-skid” u raportua i vdekur në publikime të ndryshme, përfshirë revistën “Time” dhe “New York Herald Tribune”, në vitin 1927, kur një reporter për një gazetë nga Miçigani shkroi se “zonja Alice Weed” ishte vejusha e shpikësit. Më vonë doli se ai dhe gruaja e tij ishin shëndoshë e mirë dhe bëhej fjalë për dikë tjetër.

39. James Earl Jones

Në vitin 1998, një lajm i dhënë gabim njoftoi vdekjen e aktorit të famshëm, gjatë një transmetimi radiofonik të një ndeshjeje bejsbolli. Gazetari Lannt Frattare, e ngatërroi James Earl Jones me James Earl Ray, që ishte vrasësi i Martin Luter King dhe që sapo kishte vdekur.

40. Raid Juhi

“NBC News” njoftoi në mars të vitit 2005 se gjykatësja kryesore e procesit të Sadam Huseinit ishte vrarë. Në të vërtetë, viktimë ishin dy gjyqtarë të tjerë, Barbweez Mahmood dhe djali i tij. “NBC”-ja fajësoi për informacionin e pasaktë zyrtarët e Shteteve të Bashkuara.

41. Paul Vance

Kompozitori i njohur amerikan lexoi për njoftimin e vdekjes së tij në vitin 2006, kur vdiq dikush tjetër me emrin Paul Van Valkenburgh. Ky i fundit i kishte thënë gruas se ishte një shkrimtar tekstesh i famshëm dhe mediat e kishin ngatërruar. Raportimet e shumta bënë që kuajt e garave në pronësi të tij të hiqeshin nga garat.

42. Rudyard Kipling

Të gjithë ata që kanë lexuar poezinë “If” të Rudyard Kipling, janë shqetësuar kur kanë lexuar për vdekjen e tij. Lajmi i hidhur për letërsidashësit u raportua në një revistë. Kur lexoi lajmin Kipling, i shkroi revistës: “Sapo lexova se kam vdekur. Mos harroni të më fshini nga lista juaj e abonuesve”.

43. Britney Spears

Këngëtarja e njohur Britney Spears është raportuar se ka humbur jetën për shkak të një aksidenti automobilistik nga dy dixhei nga Teksasi. Ata kishin menduar të bënin shaka duke e transmetuar drejtpërsëdrejti në vitin 2001. Stacioni radiofonik “KEGL” është gjobitur dhe të dy punonjësit janë pushuar.

44. Mara Wilson

Aktorja e njohur amerikane që ka luajtur “Hirushen”, ishte listuar si aktore e vdekur në database-n e filmave në internet në vitin 2000. Lajmi jo vetëm që nuk ishte i vërtetë, por edhe motivi i vdekjes ishte i rëndë. “Theu qafën”, shkruhej në internet.

45. John Stonehouse

Parlamentari britanik bëri gjoja sikur kishte kryer vetëvrasje duke u mbytur në Majami, në mënyrë që t’i shpëtonte problemeve financiare dhe të martohej me të dashurën e tij. Më vonë ai u zbulua në Australi, ku fillimisht policia mendoi se ishte lordi Lucan, dhe u burgos.

46. Abe Vigoda

Në vitin 1982, revista “People” shkroi për të duke e cilësuar si “Abe Vigoda i fundit”. Më pas ai i dërgoi një foto të tijën ku ishte futur brenda një arkivoli dhe mbante në dorë revistën në fjalë. Vigoda pohon se gjatë viteve ’80, fakti se njerëzit e konsideronin të vdekur i kushtoi shumë në punë.

47. Edward Osborne Wilson

Biologu dhe ambientalisti i njohur Edward Wilson u deklarua i vdekur në vitin 2005 në një artikull të gazetës “Francisco Chronicle”. Kjo, është gazeta më e madhe në Kaliforninë e Veriut. Në artikull nuk jepen shkaqe për vdekjen e biologut. Ndërkohë, Wilson ishte një nga lexuesit më të mirë të gazetës.

48. Titan Leeds

Ky është një nga rastet kur konkurruesit mendojnë më shumë për vdekjen e rivalit. Titan Leeds ishte botues i një almanaku që konkurronte me almanakun “Poor Richard” të Benjamin Franklin. Ky i fundit kishte parashikuar vazhdimisht vdekjen e Leeds në publikimet e tij dhe kishte përgatitur edhe shkrimin përkatës. Kur data që kishte parashikuar kaloi, Franklin e botoi nekrologjinë gjithsesi.

49. Justin Timberlake

Justin Timberlake është raportuar i vdekur së bashku me ish-të dashurën, Britney Spears. Dy punonjësit e radios “KEGL” menduan të bënin shaka duke thënë se ata kishin vdekur nga një aksident automobilistik. Edhe pse ata u pushuan nga puna, mendohet se historia e tyre është raportuar fillimisht nga një thashetheme në internet.

50. Mark Twain

Në 4 maj të vitit 1907, kur njerëzit humbën gjurmët e një jahti me të cilin ai po udhëtonte, gazeta “New York Times” publikoi një artikull ku thoshte se mund të kishte humbur në det. E vërteta ishte se jahti ishte mbuluar nga mjegulla dhe Twain kishte zbritur. Twain e lexoi artikullin dhe e sqaroi historinë duke shkruar një artikull humoristik.

2 mendime mbi “50 njerëzit e famshëm që lexuan për vdekjen e tyre

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s